Konsumimi i alkoolit në rritje tek të rinjët shqiptarë: Alarm nga ISHP dhe OBSH

Konsumimi i alkoolit në moshë të re po njeh rritje shqetësuese edhe në Shqipëri, duke ngritur alarmin mes institucioneve shëndetësore. Sipas një studimi të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), 1 në 4 të rinj rezultojnë konsumatorë të rregullt të alkoolit, një fenomen që pasqyron prirjet shqetësuese që janë të pranishme edhe në mbarë Europën.
Specialistët e ISHP-së theksojnë se shoqëria dhe presioni social janë ndër faktorët kryesorë që nxisin të rinjtë drejt konsumit të alkoolit, ndërsa vihet re një shtim i dukshëm i numrit të vajzave që konsumojnë, çka përfaqëson një ndryshim të dukshëm në normat sociale dhe shëndetësore.
“Ka një rritje të lartë që nis që nga adoleshentët. Nëse para katër vitesh konsumi ishte rreth 5% te të rinjtë, sot ka arritur në 15%. Ajo që është shqetësuese është se ka një trend rritës edhe tek vajzat,” shprehet Andia Meksi, specialiste pranë ISHP.
Sipas saj, pasojat e konsumimit të hershëm të alkoolit janë të shumta dhe të rënda, duke përfshirë dëme fizike, mendore dhe emocionale. “Pasojat janë si fizike, ashtu edhe njohëse dhe ndikojnë në sjelljen e përditshme. Konsumi i vazhdueshëm mund të ketë pasoja të parikthyeshme. Ka gjithashtu një lidhje mes konsumit të alkoolit dhe rritjes së rrezikut për kancer të gjirit”, shton Meksi.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë alarmin, duke theksuar se alkooli është shkaktar i rreth 25% të vdekjeve në mesin e të rinjve në nivel global, duke e renditur atë si një ndër faktorët më të mëdhenj të rrezikut për shëndetin publik.
Ekspertët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme përmes edukimit, ndërgjegjësimit dhe politikave parandaluese, për të frenuar këtë trend në rritje që po kërcënon seriozisht shëndetin e brezave të rinj.