Kosova

Konferenca statusore në Hagë: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së planifikon dëshmitarët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet një konferencë statusore lidhur me përgatitjen e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Konferenca ka për qëllim që mbrojtja të organizojë dhe përgatisë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj.

Në sallën plenare të gjykatës janë të pranishëm ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi (ky i fundit përmes video-lidhjes) si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Mbrojtja e Thaçit njoftoi se nga 11 dëshmitarë, për pesë prej tyre ende nuk ka nxjerrë përmbledhje të deklaratave, për shkak se një dëshmitar është nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa katër të tjerë janë nga SHBA-ja dhe presin autorizimet përkatëse. Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, tha se dëshmitarët nga SHBA-ja janë figura të larta dhe të rëndësishme dhe mund të paraqesin informacione shfajësuese.

Prokuroria e Specializuar ka parashikuar se do t’i duhen rreth një muaj nga koha kur mbrojtja të nxjerrë këto deklarata përpara se të prezantohen në gjykatë. Mbrojtja njoftoi gjithashtu se do t’i duhen rreth 35.5 orë për dhënien e dëshmisë së dëshmitarëve që do të thërrasë në rastin e Thaçit.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka njoftuar se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatë, ndërsa dy të tjerë me shkrim, të cilat tashmë u janë dorëzuar prokurorëve. Gjykatësi vlerësoi se dëshmitë mund të përfundojnë brenda muajit dhjetor, duke llogaritur pesë orë dëshmi në ditë.

Të katër të akuzuarit – Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi – akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë deklaruar të pafajshëm. Aktakuza u ngarkon përgjegjësi për krime të kryera nga vetë ata, si dhe nga vartësit e tyre, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave dhe torturimin e qindra të tjerëve.

Procesi gjyqësor ka nisur më prill të vitit 2023, ndërsa që nga fillimi i hetimeve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale. Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga prokuroria, tani do të vazhdojë rradha e mbrojtjes për të paraqitur çështjen e tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe funksionojnë në Holandë me pjesëmarrje ndërkombëtare. Gjykata heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button