Komuna e Fushë Kosovës kundërshton ndërtimin e palestrës së gjimnastikës në Miradi të Ultë pa leje ndërtimore

Komuna e Fushë Kosovës ka reaguar të mërkurën pas nisjes së disa punimeve në fshatin Miradi e Ultë, duke theksuar se ndërtimi i palestrës së gjimnastikës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) po zhvillohet pa leje ndërtimore dhe pa asnjë kërkesë paraprake.
Në një njoftim zyrtar në Facebook, Komuna tha se është informuar për punimet nga vetë banorët e zonës dhe se pas verifikimit në terren është konstatuar se investimi po realizohet në një hapësirë publike dhe është nisur pa koordinim me institucionin komunal.
“Pas këtyre njoftimeve për fillimin e ndërtimit të palestrës së gjimnastikës dhe ceremonisë së planifikuar për nesër më datën 10.07.2025, jemi të obliguar të informojmë se investimi në fjalë nuk është i pajisur me leje ndërtimore dhe për të njëjtin nuk ka asnjë kërkesë,” thuhet në njoftim.
Komuna ka theksuar se është e përkushtuar për ndërtimin e kësaj palestre dhe se ka ndarë edhe një parcelë të tokës komunale për këtë projekt, mirëpo kërkon që të respektohen procedurat ligjore për çdo investim.
“Ne jemi në dispozicion që të punojmë ngushtë me autoritetet përkatëse që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe deri atëherë çdo investim është ilegal,” paralajmëron komuna, duke shtuar se në rast të mosrespektimit të ligjit, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit.
Ndërkohë, MKRS ka ftuar komunën që të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese që është planifikuar për ditën e enjte. Ende nuk ka ndonjë reagim publik nga ana e ministrisë lidhur me këto akuza.