KOMF shqetësohet për mos-ekzekutimin e pagesave nga Komuna e Gjilanit për OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur shqetësim për mos-ekzekutimin e pagesave nga Komuna e Gjilanit ndaj organizatave joqeveritare, të cilat ofrojnë shërbime sociale falas për fëmijët dhe familjet në nevojë. Pagesat duhej të kryheshin në bazë të kontratave të nënshkruara më 16 Korrik 2025.
Sipas KOMF-it, mos-ekzekutimi i këtyre pagesave ka pasoja të menjëhershme, duke përfshirë ndërprerjen e shërbimeve jetike si kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbështetja për fëmijët pa kujdes prindëror dhe trajtimi i rasteve urgjente të personave me varësi nga droga. Po ashtu, kjo rrit pasigurinë sociale për grupet më të ndjeshme dhe dëmton besimin mes organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike.
KOMF thekson se mosveprimi i komunës bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, si dhe parimet e menaxhimit të mirë publik, që kërkojnë përmbushjen e obligimeve financiare sipas kontratave.
Organizata i bën thirrje Komunës së Gjilanit që urgjentisht të ekzekutojë pagesat e dakorduara, të sigurojë një plan të qartë dhe transparent për ekzekutimin e obligimeve financiare dhe të garantojë që praktika të tilla të mos përsëriten.
KOMF rikujton se shërbimet sociale nuk mund të trajtohen si çështje dytësore buxhetore, duke i konsideruar ato një detyrim ligjor, moral dhe njerëzor.