Komandanti Jashari pret ekipin amerikan të ISG-së, fokus në ushtrimet logjistike të FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në Prishtinë ekipin e ISG-së nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët po zhvillojnë vizitën e rregullt në kuadër të ushtrimit në tavolinë (Top Table Exercise – TTX) në fushën e logjistikës.
Gjatë takimit, gjenerallejtënant Jashari uroi mirëseardhje ekipit amerikan dhe i informoi për zhvillimet më të fundit në FSK, duke vënë theksin te rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të ISG-së në procesin e zhvillimit të forcës.
Në diskutim u trajtua mbështetja e ISG-së për realizimin e TTXLOG, me synim forcimin e kapaciteteve logjistike të FSK-së. “Logjistika mbetet një nga fushat kyçe për zhvillimin e FSK-së dhe do të trajtohet si prioritet. Rezultatet e ushtrimit do të analizohen dhe zbatohen në të gjitha nivelet,” u shpreh komandanti Jashari.
Ekipi i ISG-së, me rol këshillues në implementimin e procedurave logjistike sipas standardeve ndërkombëtare, ka dhënë kontribut të vazhdueshëm ndër vite në ndërtimin dhe tranzicionin e FSK-së, në përputhje me standardet e NATO-s.



