Komandanti i Policisë në Lipjan jep dorëheqje pas rastit tragjik të Agon Zejnullahut

Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi, ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje morale pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, rast që është duke u hetuar si “vrasje nga pakujdesia”.
“Ende nuk jam shkarkuar, kam dhënë dorëheqje. Po, kam bërë kërkesë për dorëheqje, vendimi i ri ende nuk më është lëshuar, por kam dhënë dorëheqje. Për shkak të zhvillimeve të fundit e kam ofruar dorëheqjen,” tha Gashi për KALLXO.com. Ai shtoi se zyrtarisht mbetet në detyrë derisa të merret vendimi nga instancat përkatëse.
Ndërkohë, pesë zyrtarët policorë të dyshuar për përfshirje në rastin tragjik dolën më 9 korrik para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe ka vënë në pah nevojën për hetim të thelluar dhe përgjegjësi institucionale.