
Gjeneralmajor Enrico Barduani, Komandant i Forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), vizitoi Kampin Bondsteel ku u takua me personel nga Komanda Rajonale-Lindje (RC-E), njofton misioni i KFOR-it.
Gjatë vizitës, Barduani mori një informim të detajuar nga Koloneli Jonathan Lloyd, komandanti i RC-E, mbi operacionet e vazhdueshme dhe aktivitetet e përditshme të komandës në kuadër të misionit të KFOR-it.
Pas këtij informimi, komandanti vizitoi një ekspozitë armësh dhe pajisjesh të organizuar nga Garda Skoceze, pjesë e Forcës Rezervë të NATO-s për stërvitje, e cila ofroi një pasqyrë mbi mjetet dhe aftësitë e njësive të dislokuara në Kosovë.
Në përfundim të vizitës, Gjeneralmajor Barduani vlerësoi profesionalizmin, përkushtimin dhe kompetencën e pjesëtarëve të KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
KFOR-i rikujtoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, duke punuar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX).