KFOR kryen patrullime zbulimi pranë kufirit me Serbinë: Siguria mbetet prioritet

Ushtarët polakë të KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje (RC-E) kanë realizuar një patrullë zbulimi përgjatë kufirit me Serbinë, si pjesë e operacioneve rutinore për të garantuar siguri dhe stabilitet në zonë.
Në një njoftim zyrtar, KFOR bëri të ditur se këto patrullime, të cilat kryhen në mënyrë të paanshme dhe të rregullt, janë thelbësore për të ruajtur një prani të dukshme, për të vlerësuar situatën në terren dhe për të mbështetur paqen në rajon.
“Këto aktivitete luajnë një rol vital në sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në zonën e përgjegjësisë së Komandës Rajonale Lindje,” thuhet në deklaratën e KFOR-it.
Misioni ndërkombëtar gjithashtu ritheksoi angazhimin e tij ndaj mandatit që buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që ka për synim garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR theksoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përmbushje të rolit të secilit institucion në menaxhimin e sigurisë në vend.