Kosova
Kryesore

KFOR inauguron “Sheshin Sir Michael David Jackson” në Prishtinë

Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka udhëhequr dje ceremoninë e inaugurimit të “Sheshit Sir Michael David Jackson” në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë.

Sheshi mban emrin e gjeneralit britanik Michael David (“Mike”) Jackson, komandantit të parë të KFOR-it, i cili ka shërbyer nga 10 qershori deri më 8 tetor 1999 dhe ka luajtur rol kyç në vendosjen e themeleve të pranisë së NATO-s në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë personalitete të shumta, përfshirë bashkëshorten dhe djalin e gjeneralit, Lady Sarah dhe Mark, ish-oficer i regjimentit të parashutistëve, si dhe zëvendësshefin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Paul O’Connor.

“Sot i bëjmë homazh një ushtari të jashtëzakonshëm, roli dhe udhëheqja e të cilit gjatë ditëve të para të KFOR-it ishin shembullore. Ai gjithmonë do të mbetet në zemrat tona, ashtu si edhe trashëgimia e shërbimit të tij në mbështetje të paqes dhe sigurisë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë,” deklaroi gjeneralmajor Barduani.

Ceremonia u përmbyll me zbulimin e një pllake përkujtimore përpara ndërtesës së selisë së KFOR-it.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button