
Ushtarët kroatë nga Komanda Rajonale Perëndim e KFOR-it kanë realizuar patrullime në zonën e Vërmicës, në pjesën jugore të Zonës së Përgjegjësisë së kësaj komande, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbështetjes së të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë rajon.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, misioni paqeruajtës i NATO-s theksoi se këto patrullime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të krijuar dhe ruajtur një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.
“Prania e ushtarëve në terren është e rëndësishme për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe stabil, ndërsa ndërveprimi i rregullt me popullatën lokale ndihmon në forcimin e besimit në KFOR dhe në rolin e tij të paanshëm në rajon”, thuhet në njoftim.
KFOR-i rikujton se mandati i tij është të kontribuojë në siguri dhe liri të lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë. Misioni thekson gjithashtu se operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përmbushjen e detyrave të tyre përkatëse për sigurinë.
Këto patrullime janë një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë, në përputhje me mandatin që KFOR-i ka marrë nga Kombet e Bashkuara.