Kosova

KFOR dhe trupat amerikane ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në Kosovë me helikopterë Black Hawk

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), në bashkëpunim me trupat amerikane të aviacionit të vendosura në Komandën Rajonale-Lindje, ka intensifikuar përpjekjet për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të vendit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga KFOR-i, dy helikopterë ushtarakë të tipit UH-60 Black Hawk kanë ndërmarrë një seri operacionesh ajrore për hedhjen e ujit mbi zonat e prekura, me synim vënien nën kontroll të flakëve që paraqesin rrezik për jetën e banorëve dhe infrastrukturën lokale.

“Gjatë vetëm dy orëve të operimit, ekipet ajrore realizuan 18 hedhje, duke transportuar mbi 43.500 litra ujë në rajonet më të rrezikuara nga zjarret,” thuhet në njoftim.

KFOR thekson se kjo ndërhyrje është një dëshmi e gatishmërisë së menjëhershme dhe angazhimit të palëkundur të misionit për të mbështetur institucionet vendore dhe për të mbrojtur popullatën civile në situata emergjente.

Ndërkohë, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka bërë të ditur se situata në terren vazhdon të përkeqësohet. Vetëm në gjashtë orët e fundit, janë regjistruar gjithsej 80 vatra zjarri në mbarë vendin, prej të cilave 35 mbeten ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar nga ekipet vendore të reagimit të shpejtë.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke kërkuar që të shmangen veprimtaritë që mund të nxisin përhapjen e zjarreve në këto kushte të ndjeshme klimatike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button