KryesoreLajme

Këshilltarët e Metës dhe demokratë të Durrësit votojnë me socialistët për ‘Lura 5’: Ndryshon destinacioni i pyllit në Gjirin e Lalzit

Këshilltarët e Ilir Metës dhe një pjesë e demokratëve bashkuan votat me socialistët në Durrës për të miratuar vendimin që i hap rrugë ndërtimit të kompleksit turistik “Lura 5” në Gjirin e Lalzit. Me shumicë votash Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi ndryshimin e kategorisë së një sipërfaqeje pyjore prej 0.8 ha në zonën e Gjirit të Lalzit, i cili I hap rrugë ndërtimit të kompleksit turistik “Lura 5”.

31 këshilltarë të PD, PS dhe PL ngritën kartonin jeshil, ndërsa kundër votuan vetëm 3 këshilltarë demokratë.

Resorti turistik “Lura 5” ka marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por sipas këshilltarëve demokratë, Dritan Burgija dhe Ardi Muka bregdeti i Durrësit është betonizuar mjaftueshëm. Ndërsa socialistët mbrojtën tezën se kompleksi do t’i japë një hov më të madh zhvillimit të turizmit. Një tjetër pikë që nuk gjeti dakordësinë e të gjithë këshilltarëve ishte ajo që lidhet me raportin e monitorimit të zbatimit të buxhetit të bashkisë për vitin e kaluar.

Këshilltarët Muka, Burgija dhe Ibraj nënvizuan se shumë zëra të buxhetit faktik rezultojnë të parealizuara, ndërsa fondi i menaxhimit të mbetjeve urbane figuron i realizuar në masën 95.5%., kur shumë shërbime si pastrimi, ndriçimi etj mungojnë në shumë zona.

Mbledhja e këshillit bashkiak të Durrësit u drejtua nga kryetarja e komanduar Denisa Luarasi, pasi kryetari i mëhershëm Ani Dyrmishi garon për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button