Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane reagon pas thirrjeve anti-shqiptare në Maqedoninë e Veriut: “Kjo spirale urrejtjeje rrezikon stabilitetin e vendit”

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council – AARC), i drejtuar nga aktivisti Martin Vulaj, ka dënuar me ashpërsi incidentet e fundit me thirrje anti-shqiptare dhe mesazhe ndarëse gjatë ndeshjeve sportive në Maqedoninë e Veriut. Sipas AARC, këto ngjarje paralajmërojnë një spirale urrejtjeje që mund të destabilizojë shtetin.
Në një reagim të publikuar nga AARC, theksohet se parimi i një Maqedonie të Veriut me shumë etni duhet të ruhet dhe forcohet. “Gjatë konfliktit, shqiptarët refuzuan ofertën për ndarjen e vendit sipas vijave etnike, duke zgjedhur një të ardhme të përbashkët evropiane. Ky parim duhet të jetë udhërrëfyesi për të ardhmen,” theksohet në reagim.
Në javët e fundit, incidentet me përmbajtje urrejtjeje u përshkallëzuan në ngjarjet sportive: tifozët e ndeshjes basketbollistike mes Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut në Kumanovë përdorën thirrje për vdekjen dhe zhdukjen e shqiptarëve, ndërsa tifozët shqiptarë në një ndeshje futbolli në Tetovë shfaqën pankarta që kërkonin shkëputje.
AARC kërkon ndërhyrje urgjente nga të gjithë liderët politikë për të dënuar dhe ndaluar këto veprime që ushqejnë ndarjet etnike dhe kërcënojnë stabilitetin e vendit.
“Brohoritjet anti-shqiptare përforcojnë perceptimin e shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë, ndërsa thirrjet për shkëputje nxjerrin frikën tek maqedonasit sllavë për të ardhmen e shtetit,” shpjegon Këshilli.
Pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në 2001, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të mëdhenj drejt bashkëjetesës dhe integrimit etnik, ku shqiptarët kanë fituar një rol më aktiv në institucionet politike, ekonomike dhe akademike. AARC nënvizon se ky përparim nuk duhet të prishet nga retorika e urrejtjes.
Ndërkohë, qeveria ka dënuar gjuhën e urrejtjes, por sipas AARC, edhe liderët shqiptarë duhet të distancohen qartë nga çdo retorikë që minon integritetin territorial të vendit.
Këshilli apelon për unitet, respekt dhe bashkëpunim të të gjitha komuniteteve, duke theksuar se vetëm kështu Maqedonia e Veriut mund të qëndrojë në rrugën drejt paqes dhe integrimit evropian.