Këshilli Gjyqësor shpall konkurs për katër gjyqtarë të rinj, cakton panelet intervistuese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e tij të 352-të, ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për katër pozita të reja gjyqtarësh – një në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit dhe tre të tjera për nevojat e departamenteve të tjera.
Për intervistimin e kandidatëve për pozitën në Departamentin Special, u përcaktua paneli me këtë përbërje:
Albert Zogaj
Arjeta Sadiku
Afrim Shala
Ahmet Imami
Vaton Durguti
Në këtë pikë, anëtari i Këshillit, Besnik Bislimaj, ngriti çështjen e përfshirjes së gjyqtarit Vaton Durguti, duke thënë se ai është pjesë e Gjykatës Supreme. Por, kryesuesi Albert Zogaj sqaroi se Durguti aktualisht ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë, për tri pozitat e tjera të shpallura, paneli u përbë nga:
Albert Zogaj
Kadrie Goga-Lubishtani
Teuta Ibrahimi
Drita Rexhaj
Burim Ademi
Rreth këtij përbërjeje reagoi anëtari Fahret Vellija, i cili rikujtoi praktikat e mëhershme kur kryetari i gjykatës përkatëse ka qenë pjesë e panelit. Ai propozoi gjithashtu që gjyqtari Besnik Bislimaj të përfshihej në komision, por ky i fundit refuzoi duke deklaruar se nuk dëshiron të jetë pjesë e tij.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli miratoi edhe listën e mentorëve për gjyqtarët që po ndjekin trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë, si dhe bëri ndryshime në planet e punës për Gjykatat Themelore të Pejës, Prishtinës dhe Ferizajt, si dhe për Gjykatën e Apelit.
Po ashtu, KGJK vendosi t’i dërgojë për lirim nga detyra gjyqtarët Rasim Rasimi, Zydih Haziri dhe Nushe Kuka-Mekaj, për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.



