Kosova

Këshilli Gjyqësor i Kosovës: Drejtuesit e gjykatave do të raportojnë çdo dy muaj – sfidë mbetet mungesa e stafit

Në mbledhjen e 349-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të mbajtur sot, u vendos që drejtuesit e gjykatave në vend të raportojnë çdo dy muaj para anëtarëve të Këshillit, me qëllim rritjen e transparencës dhe monitorimit të punës së tyre.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, bëri të ditur gjithashtu se nga muaji shtator katër gjyqtarë të rinj do t’i shtohen Departamentit Special, duke synuar përmirësimin e efikasitetit në trajtimin e lëndëve të ndjeshme.

Gjatë raportimeve të drejtuesve të gjykatave, u theksua se, ndonëse në pjesën më të madhe të gjykatave është vërejtur përmirësim i normës së efikasitetit në krahasim me tremujorin paraprak, mungesa e stafit mbetet një sfidë e vazhdueshme. Përkundër faktit se në fillim të muajit korrik janë emëruar 34 bashkëpunëtorë të rinj profesionalë, mungesat ende po pengojnë ritmin e punës.

Gjykata e Apelit, sipas raportit të saj, vazhdon të ketë normën më të ulët të efikasitetit në divizionin civil. Kryetari i kësaj gjykate, Valon Totaj, tha se sfida më e madhe mbetet trajtimi i rasteve civile, veçanërisht i lëndëve që lidhen me kontratat kolektive. Në tremujorin prill-qershor, kjo gjykatë ka pranuar gjithsej 6,051 lëndë të natyrës civile kontestimore, ndërsa ka përfunduar 2,551 prej tyre.

Përkundër sfidave, Totaj theksoi progresin në trajtimin e lëndëve të vjetra, duke bërë të ditur se mbi 400 raste të tilla janë zgjidhur vetëm në tre muajt e fundit. Gjykata e Apelit gjithashtu vazhdon të mbajë primatin në publikimin e vendimeve në krahasim me gjykatat e tjera.

Ndërkohë, Gjykata Supreme dhe Dhoma e Posaçme e saj janë renditur ndër gjykatat më efikase për këtë periudhë, me norma efikasiteti prej 97% dhe 267%, respektivisht.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button