Sport

‘Keni vrapuar me pak se Courtois’, detaji që shpjegon më së miri inferioritetin e Realit ndaj Arsenalit

Ka qenë një mësim i vërtetë futbolli ai që pësoi Real Madridi në ‘Emirates Stadium’. Arsenali dominoi skenën në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, duke fituar bindshëm me rezultatin 3-0.

Por, përtej rezultatit, ajo që ra më shumë në sy ishte diferenca në intensitet dhe përkushtim mes dy skuadrave. Një pabarazi që konfirmohet edhe nga një e dhënë domethënëse: anglezët përshkuan plot 113.56 km, kundrejt vetëm 101.16 km të lojtarëve të Realit. Mbi 12 kilometra diferencë që tregojnë për një skuadër të shkëlqyer, të uritur, përballë një tjetër të ngathët dhe pa energji.

Për Carlo Ancelotti-n kjo nuk është diçka e re, përkundrazi: që pas humbjes së rëndë ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës, ai kishte kritikuar ashpër lojtarët e tij kryesorë.

Sipas asaj që raportoi ‘Radio Marca’, trajneri italian u kishte treguar Vinicius-it, Rodrygo-s dhe Mbappésë një analizë të detajuar të një ndeshjeje mes Arsenalit dhe Manchester City-t, duke theksuar kilometrat e përshkuar nga çdo sulmues i Arsenalit:

“Trossard, Havertz: 10,854 metra. Odegaard, Martinelli, Saka… mbi 11,000, 12,000, 13,000 metra. Vinicius: 8,700. Mbappé: 5,000… më pak se Courtois!” – thuhet se ka ironizuar Carletto, i irrituar nga mungesa e angazhimit mbrojtës të treshes së tij ofensive, sipas së njëjtës medie spanjolle.

Megjithatë, pavarësisht kritikave dhe të dhënave të qarta, sinjalet nga Londra tregojnë se diçka ende nuk funksionon. Reali u duk i lodhur, i parashikueshëm, i paaftë për të reaguar. Dhe tani do të duhet një mrekulli e vërtetë në ‘Santiago Bernabéu’ për të rikthyer shpresat për kualifikim. Por për ta bërë këtë, përveç cilësisë, do të duhen edhe vrapim, sakrificë dhe uri. Pikërisht ato që Arsenali i vuri në fushë me bollëk.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button