Kosova

KEK hap ofertat për tenderin 137 milionë euro për rehabilitimin e bllokut A3 të “Kosova A”: Pesë kompani në garë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hapur zyrtarisht ofertat për tenderin me vlerë prej 137 milionë euro, që synon rehabilitimin dhe modernizimin e bllokut A3 të Termocentralit “Kosova A”. Ceremonia e hapjes së ofertave është transmetuar drejtpërdrejt, duke shënuar një nga projektet më të mëdha investive në sektorin energjetik në Kosovë.

Në garë për këtë kontratë janë pesë kompani apo konsorciume ndërkombëtare dhe vendore:

SBB Energy S.A; Intering SH.PK; EthosEnergy

LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S

GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED

KEPCO Plant Service Engineering Co. LTD; DYPNF Co. Ltd; BHI CO. Ltd

HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited

Qëllimi i projektit: Rritje efikasiteti dhe jetëgjatësie
KEK ka bërë të ditur se rehabilitimi i njësisë A3, e cila është në funksion që nga viti 1970, ka për qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së saj për 20 vjet të tjera. Projekti konsiderohet thelbësor për sigurinë energjetike të vendit, pasi kjo njësi mbulon rreth 10% të kërkesës për energji elektrike në Kosovë.

Sipas dokumentacionit të tenderit, ndërhyrjet do të përfshijnë:

Rinovim të kaldajës, përfshirë komponentët kritikë dhe sistemin e furnizimit me thëngjill

Inspektim dhe modernizim të turbinës dhe gjeneratorit

Riparim të kullës ftohëse

Modernizim të sistemit elektrik dhe sistemeve të kontrollit e sigurisë

Përmirësim të efikasitetit dhe pajtueshmëri me standardet mjedisore të BE-së

Investim për një të ardhme të qëndrueshme energjetike
KEK thekson se mungesa e infrastrukturës për gaz natyror e ka bërë të domosdoshëm vazhdimin e përdorimit të thëngjillit, duke e orientuar projektin drejt teknologjive moderne që reduktojnë ndotjen dhe humbjet e energjisë.

Njësia A3 synon të përmbushë kriteret e Direktivës për Termocentrale të Mëdha me Djegie (LCP) dhe Direktivës për Emisione Industriale (IED) të Bashkimit Evropian.

Ndikimi në ekonomi dhe punësim
Gjatë zbatimit të projektit, KEK parashikon krijimin e vendeve të reja pune, si në fazën e rehabilitimit ashtu edhe në atë të operimit të njësisë. Punësimi i fuqisë punëtore vendore pritet të ndihmojë në uljen e papunësisë dhe stimulimin e zhvillimit ekonomik lokal.

Procedura konkurruese me negociata
KEK ka aplikuar procedurën konkurruese me negociata, për shkak të mungesës së një studimi fizibiliteti dhe kompleksitetit të projektit. Pas përfundimit të negociatave me operatorët ekonomikë që përmbushin kriteret, kontrata do t’i jepet ofertuesit me çmimin më të ulët, në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik.

Kriteret për përzgjedhje
Kompanitë pjesëmarrëse duhet të dëshmojnë:

Qarkullim vjetor minimal prej 200 milionë euro në tre vitet e fundit

Sigurim tenderi prej 4 milionë euro, i vlefshëm për 180 ditë

Projekte të ngjashme të përfunduara me vlerë mbi 120 milionë euro

Ekip profesional me përvojë në turbinë, kaldajë, sisteme kontrolli dhe mjedisore

Kompanitë janë ftuar gjithashtu të kryejnë vizitë në terren për të kuptuar më mirë natyrën e punimeve që kërkohen në këtë projekt madhor për të ardhmen energjetike të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button