KEK garanton stabilitet energjetik: Prodhimi tejkalon kërkesën ditore për energji në korrik

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se po vazhdon të sigurojë stabilitet energjetik për vendin, duke theksuar se prodhimi i energjisë elektrike gjatë ditëve të para të muajit korrik jo vetëm që ka përmbushur nevojat vendore, por edhe i ka tejkaluar ato.
Sipas komunikatës zyrtare të KEK-ut, prodhimi ka arritur një mbulueshmëri deri në 117 për qind të kërkesës ditore, çka përbën një tregues të kapaciteteve të larta operative të njësive prodhuese, pavarësisht moshës së tyre dhe sfidave teknike.
“Njësitë tona prodhuese, ndonëse të stërvjetëruara dhe me sfida teknike të trashëguara, janë duke operuar me kapacitet të lartë, duke mundësuar mbulim të plotë të konsumit vendor dhe garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
KEK ka nënvizuar përkushtimin e saj ndaj transparencës, respektimit të ligjit dhe funksionimit të rregullt të njësive energjetike, duke sqaruar se të gjitha procedurat e prokurimit zhvillohen në përputhje me legjislacionin dhe nën mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse.
“Faktet flasin vetë: Prodhimi energjetik është i qëndrueshëm dhe tejkalon kërkesën; Njësitë, përfshirë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistem”, thuhet më tej në komunikatë.
KEK gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me publikun dhe institucionet relevante, duke ftuar që çdo diskutim publik të mbështetet në fakte të verifikueshme dhe etikë profesionale.
Ky njoftim vjen në një kohë kur çështjet e furnizimit me energji mbeten një ndër temat më të ndjeshme në opinionin publik, veçanërisht gjatë sezonit veror dhe në kontekstin e reformave në sektorin e energjisë.