KEK fiton arbitrazhin kundër KEDS-it dhe KESCO-s, do të përfitojë 8.3 milionë euro

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar kundër kompanive KEDS dhe KESCO, për shkak të mosrealizimit të pagesave për furnizimin me energji elektrike.
Sipas njoftimit zyrtar, Tribunali Ad Hoc i Arbitrazhit, i themeluar sipas Nenit 28 të Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ka shpallur më 24 tetor 2025 vendimin përfundimtar në favor të KEK-ut, duke detyruar KEDS dhe KESCO që t’i paguajnë Korporatës 8.3 milionë euro, përfshirë edhe interesin e mbledhur nga pagesat e vonuara.
Tribunali ka konstatuar se KEK ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj kontraktuale për furnizim me energji gjatë periudhës 2020–2024, ndërsa KEDS dhe KESCO nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara. Sipas vendimit, vonesat e tyre nuk janë justifikuar nga asnjë rrethanë force madhore apo krizë energjetike.
Gjithashtu, KEK do të kompensohet edhe për kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe ekspertëve, të cilat do të mbulohen nga palët e paditura.
Procedura është zhvilluar sipas rregullave të UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër. Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm.
KEK e ka cilësuar këtë si një fitore me rëndësi strategjike për sektorin energjetik të Kosovës, që forcon pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin institucional të saj.
“Kjo fitore konfirmon sjelljen e përgjegjshme, transparente dhe profesionale të KEK-ut ndaj partnerëve dhe institucioneve”, thuhet në njoftimin e Korporatës, e cila ka falënderuar Avokaturën Shtetërore të Republikës së Kosovës për mbështetjen ligjore, si dhe ekipin ndërkombëtar të përfaqësimit ligjor nga Squire Patton Boggs.
KEK theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, operimit transparent dhe menaxhimit të përgjegjshëm si një nga shtyllat kryesore të sistemit energjetik të vendit.



