KEDS nis nesër shkyçjet për konsumatorët pa kontrata të rregullta me furnizues energjie

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se nga nesër, më 31 korrik 2025, do të nisë shkyçjen nga rrjeti për të gjithë konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një Furnizues Aktiv, si pjesë e zbatimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë.
Në njoftimin e publikuar, KEDS ka sqaruar se shkyçjet do të bëhen në përputhje me Nenin 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085) dhe Rregullën për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF). Sipas këtyre rregulloreve, shërbimi i FMF-së është i kufizuar për një periudhë maksimale prej 60 ditësh. Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi, furnizimi me energji nuk lejohet më, çka obligon shkyçjen nga rrjeti.
“Bazuar në këto obligime ligjore, KEDS është i obliguar të shkyçë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një Furnizues Aktiv”, thuhet në komunikatë.
Kompania thekson se ky proces është pjesë e reformave për liberalizimin e tregut të energjisë dhe është i përcaktuar nga autoriteti rregullator. KEDS ka bërë thirrje që bizneset dhe konsumatorët të kontaktojnë sa më parë furnizuesit e licencuar nga ZRRE për të përmbushur obligimet e tyre dhe për të shmangur ndërprerjet.
KEDS gjithashtu ka rikujtuar se nuk ka kompetenca për furnizim me energji, pasi funksioni i saj është vetëm shpërndarja, dhe si kompani e rregulluar është e detyruar të zbatojë vendimet e ZRRE-së.