
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot një analizë të re lidhur me pasojat e bllokadës institucionale në Kuvendin e Kosovës, i cili ndodhet në muajin e katërt pa një zgjidhje funksionale. Sipas raportit, situata nuk përbën më vetëm një krizë politike pas-zgjedhore, por një çrregullim të thellë institucional, me pasoja serioze për demokracinë dhe rendin kushtetues.
Gjatë një konference për media, përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, deklaroi se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një vakuum institucional ku qytetarët janë lënë pa përfaqësim politik, Qeveria në dorëheqje vepron pa mbikëqyrje parlamentare dhe institucionet e pavarura janë jashtë kontrollit demokratik.
“Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze,” theksoi Cakolli.
Shkelje të afateve kushtetuese dhe vendime jashtë mandatit
Sipas analizës, mosrespektimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin KO124/25, përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues. Kjo ka futur vendin në një “terren të pashkelur” me pasoja të paparashikueshme ligjore dhe politike.
Në këtë periudhë bllokade, Qeveria në dorëheqje ka marrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar – përfshirë angazhime buxhetore mbi 70 milionë euro – jashtë mandatit të përcaktuar në Ligjin për Qeverinë dhe pa kontroll parlamentar.
Vendime për ndarjen e subvencioneve, themelimin e komisioneve të përhershme dhe ndryshime kadrovike në borde publike janë marrë pa debat institucional dhe pa asnjë filtër mbikëqyrës.
Reformat e bllokuara dhe partneritetet e rrezikuara
KDI vlerëson se pesë projektligje të rëndësishme të reformës në drejtësi, përfshirë Vettingun dhe Kodin Civil, kanë mbetur pezull. Po ashtu, është bllokuar procesi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me organizata si FMN-ja, Banka Botërore dhe Plani i Rritjes i BE-së, i cili pritet të sjellë mbi 800 milionë euro për Kosovën.
Këto marrëveshje duhet të procedohen nga pika zero në Kuvend, një proces që mund të zgjasë 3 deri në 6 muaj.
Institucionet e pavarura pa mbikëqyrje dhe përjashtimi i qytetarëve
Sipas raportit, mbi 20 institucione të pavarura me buxhet vjetor prej 59 milionë euro kanë mbetur pa mbikëqyrje parlamentare. Raportet për vitin 2024 nuk janë shqyrtuar, ndërsa disa borde janë jofunksionale, duke hapur rrugë për ndërhyrje politike dhe mungesë transparence.
Për më tepër, mungesa e Kuvendit ka përjashtuar qytetarët nga përfaqësimi demokratik. Kjo gjendje, sipas KDI-së, e minon legjitimitetin institucional dhe dëmton besimin publik në sistemin demokratik.
Kërkesa për veprim dhe auditim të Qeverisë
Në përmbyllje të konferencës, KDI u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe akterëve politikë që të veprojnë pa vonesa, në frymën e kompromisit dhe konsensusit, siç e përcakton Kushtetuta e Republikës. Gjithashtu, kërkoi auditim të plotë të vendimmarrjeve të Qeverisë në dorëheqje gjatë kësaj periudhe të bllokadës.
Raporti “Bllokada në Kuvendin e Kosovës dhe cenimi i integritetit institucional” është përgatitur në kuadër të projektit “Të rinjtë dhe Shoqëria Civile për Integritet”, i financuar nga Qeveria Suedeze përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.