Sport

Kazuyoshi Miura, legjenda që sfidon moshën – ende aktiv në futboll në moshën 58-vjeçare

Kazuyoshi Miura, emri që vazhdon të thyejë rekorde në botën e futbollit, është aktualisht futbollisti më i vjetër aktiv në botë. Japonezi 58-vjeçar luan me ekipin Atlético Suzuka në divizionin e katërt të futbollit japonez, duke dëshmuar se pasioni për lojën nuk njeh moshë.

Karriera e tij e jashtëzakonshme nisi në vitin 1986 dhe që nga ajo kohë Miura nuk është ndalur asnjëherë. Sulmuesi legjendar është i vendosur që të vazhdojë të luajë edhe për shumë vite të tjera. Synimi i tij? Të mos e lë futbollin deri në moshën 80-vjeçare.

“Pas dy vjetësh do të jem 60-vjeç. Në ditën që do të ndiej se nuk po mund të vazhdoj, do të ndalem. Por, sinqerisht do të doja të luaj futboll deri në moshën 80-vjeçare,” ka deklaruar Miura.

I lindur në vitin 1967 në Shizuoka të Japonisë, Miura ka një karrierë të pasur që përfshin klube të shumta në Japoni, Brazil, Evropë dhe Australi. Ai ka luajtur për ekipe si Santos, Palmeiras, Genoa, Dinamo Zagreb, Sydney FC, Yokohama FC, dhe së fundmi për Atlético Suzuka, ku ka zhvilluar 12 ndeshje që nga viti i kaluar.

Përveç karrierës në futbollin tradicional, ai ka përfaqësuar Japoninë edhe në futsall, duke dëshmuar talentin e tij në të gjitha format e lojës.

Edhe pse nuk luan rregullisht për shkak të moshës, Miura është në gjendje të mirë fizike dhe vazhdon të japë kontributin e tij sa herë i jepet mundësia. Ai mbetet një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një dëshmi e gjallë se ëndrrat nuk kanë kufij moshe.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button