Kapshticë – Procedohet penalisht një 66-vjeçar, tentoi të nxjerrë nga Shqipëria 30 500 euro pa i deklaruar

Policia Kufitare në pikën kufitare të Kapshticës ka proceduar penalisht një shtetas 66-vjeçar, pasi u kap duke tentuar të nxjerrë nga Shqipëria një shumë prej 30 500 eurosh, pa i deklaruar sipas legjislacionit në fuqi.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Si rezultat, në dalje të vendit, në pikën kufitare Kapshticë, është kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. S., banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, në automjet u gjet një shumë e padeklaruar prej 30 500 eurosh, të cilën shtetasi 66-vjeçar po tentonte ta nxirrte jashtë Shqipërisë, në kundërshtim me ligjet për deklarimin e të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit B. S., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, parashikuar nga neni 248/b i Kodit Penal.
Policia Kufitare apelon për respektimin e ligjit dhe deklarimin e çdo shume të konsiderueshme në kufi, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë me intensitet të shtuar.