Kapitali njerëzor, çelësi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë – Banka Botërore: Gratë, të rinjtë dhe të arsimuarit me potencial të pashfrytëzuar

Ekonomia shqiptare po përballet me sfida të mëdha, të lidhura ngushtë me kapitalin njerëzor, një element kyç për zhvillimin afatgjatë të vendit. Një vlerësim periodik i Bankës Botërore, i përmbledhur në raportin “Varfëria dhe Barazia”, thekson se Shqipëria zotëron një potencial të pashfrytëzuar të kapitalit njerëzor, i cili mund të shërbejë si motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe mirëqenies.
Raporti vë theksin tek rëndësia e përfshirjes më aktive të grupeve të arsimuara në tregun e punës, si dhe përmirësimit të kushteve të punës, çka jo vetëm do të rrisë produktivitetin, por gjithashtu do të maksimizojë kthimin e investimeve në arsim të bëra ndër vite.
Gratë – kyçe për rritjen ekonomike
Një ndër pikat më të rëndësishme të raportit është nxitja e pjesëmarrjes ekonomike të grave. Banka Botërore thekson se mbyllja e hendekut gjinor në tregun e punës mund të kontribuojë në një rritje të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë – deri në 12 për qind në afat të gjatë.
“Çlirimi i potencialit të grave përmes arsimit dhe përfshirjes në tregun e punës është thelbësor për të nxjerrë vendin nga varfëria dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë,” thuhet në raport.
Varfëria në rënie, pabarazia ende e lartë
Banka Botërore vlerëson gjithashtu ecurinë pozitive në reduktimin e varfërisë në Shqipëri, duke theksuar se pas një rritjeje për shkak të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19, varfëria ka vijuar të bjerë, duke arritur në 22.5 për qind në vitin 2023 dhe pritet të zbresë në 19.8 për qind në vitin 2025.
Megjithatë, pabarazia vijon të mbetet e lartë. Indeksi Gini i të ardhurave për vitin 2018 ishte 36, më i larti në rajon pas Malit të Zi. Ndërkohë, Hendeku i Mirëqenies – i cili mat diferencën midis të ardhurave reale dhe një standardi global prej 25 dollarësh në ditë – ishte 3.9, duke treguar nevojën për rritje të ndjeshme të të ardhurave.
Të rinjtë dhe tregu i punës
Papunësia në vitin 2024 ra në 9.4 për qind, ndërsa papunësia tek të rinjtë (15–29 vjeç) mbeti problematike, duke qëndruar në nivelin e lartë prej 18.9 për qind. Ndërkohë, paga mesatare në vend është rritur me 9.8 për qind gjatë të njëjtit vit, me rritje në të gjithë sektorët ekonomikë.
Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, raporti nënvizon se Shqipëria ka ende punë për të bërë për të siguruar rritje gjithëpërfshirëse dhe për të çliruar plotësisht potencialin e kapitalit të saj njerëzor.