Kapet në Morinë me 26 mijë euro të padeklaruara, procedohet penalisht një shtetas nga Kosova

Një 35-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht nga autoritetet shqiptare pasi u kap në pikën kufitare të Morinës me një shumë të madhe parash të padeklaruar.
Gjatë një kontrolli rutinë, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan automjetin me të cilin po udhëtonte shtetasi A. S., ku u gjetën dhe sekuestruan 26 mijë euro. Sipas burimeve zyrtare, shuma e parave u kap në tentativë për t’u futur në territorin shqiptar pa u deklaruar, siç kërkohet nga ligji.
Në vijim të veprimeve procedurale, ndaj shtetasit kosovar ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme ligjore.