Kosova

Kapet në Merdare një shtetas serb me mbi 100 mijë euro të padeklaruara

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmjen e së mërkurës ka sekuestruar një shumë të madhe parash të padeklaruara në pikën kufitare të Merdarës. Në një automjet me targa të Serbisë, që drejtohej nga një shtetas serb, janë zbuluar plot 119,180 euro të cilat nuk ishin deklaruar paraprakisht.

Ngjarja ka ndodhur më 3 korrik 2025, rreth orës 21:30, kur zyrtarët kufitarë, në dalje të Kosovës, kanë ndalur për kontroll në vijën e dytë automjetin në fjalë. Fillimisht, pasagjeri kishte deklaruar se kishte me vete 18 mijë euro, por gjatë kontrollit të detajuar nga ana e policisë dhe doganierëve, është zbuluar një shumë shumëfish më e madhe.

Paratë janë gjetur të fshehura në vende të ndryshme të automjetit: në trupin e drejtuesit, në një çantë të vendosur në ulësen e pasme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe në kulmin e automjetit, në pjesën panoramike lëvizëse.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha mjetet monetare – të ndara në kartëmonedha prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro – janë sekuestruar përkohësisht dhe i janë dorëzuar zyrtarëve doganorë për trajtim dhe procedim të mëtejmë.

Rasti po hetohet për të zbuluar qëllimin dhe origjinën e këtyre mjeteve financiare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button