Kapet duke vozitur me 192 km/h në zonë 60-shes – gjobiten dy shoferë në Ferizaj për gara shpejtësie

Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar dy shoferë të rinj që po zhvillonin gara shpejtësie në aksin rrugor Varosh–Gërlicë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion.
Shoferi B.S., 22 vjeç, me veturë të tipit BMË dhe me targa të Zvicrës, është kapur duke vozitur me shpejtësi 192 km/h në një zonë ku kufizimi maksimal është 60 km/h. Si pasojë, ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh, ndalim i të drejtës për të drejtuar automjet në territorin e Kosovës për 12 muaj, ndërsa janë njoftuar edhe autoritetet zvicerane, pasi ai posedon patentë të lëshuar nga Zvicra.
Ndërkohë, edhe shoferi tjetër, F.S., 20 vjeç, shtetas i Kosovës, është kapur duke vozitur me veturë të tipit Porsche dhe me targa të huaja me shpejtësi 185 km/h në të njëjtën zonë. Ai është dënuar me 500 euro gjobë, 5 pikë negative dhe ndalim të vozitjes për 12 muaj.
Policia ka bërë të ditur se matja e shpejtësisë është realizuar përmes veturës inteligjente të pajisur me radar të avancuar.
“Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve që të shmangin garat e shpejtësisë, pasi ato përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik,” thuhet në njoftimin e Policisë.