Kapet 250 kilogramë drogë në autostradën “Ibrahim Rugova” – Operacion i përbashkët i Doganës, Policisë dhe AKI-së

Dogana e Kosovës ka njoftuar për një aksion të suksesshëm gjatë ditës së djeshme, ku janë kapur dhe konfiskuar rreth 250 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Sipas komunikatës zyrtare, operacioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe është bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Një operacion i bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga AKI, i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e rreth 250 kilogramëve të substancës narkotike të llojit kanabis, të fshehur me kujdes në një automjet transportues”, thuhet në njoftim.
Aksioni është zhvilluar gjatë orëve të pasdites, kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ndaloi për kontroll një kamion që po udhëtonte në drejtim të Prishtinës. Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë, duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, arritën të zbulojnë dhe demontojnë panelet e fshehura ku ishte fshehur droga.
Në vendngjarje kanë dalë edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe prokurorja kompetente. Personi përgjegjës është arrestuar nga Policia, ndërsa procedurat ligjore janë në zhvillim.
Dogana e Kosovës ka falënderuar AKI-në për bashkëpunimin dhe ka theksuar përkushtimin për të vazhduar koordinimin e ngushtë me institucionet e sigurisë në vend.
Ky operacion, sipas Doganës, “paraqet një tjetër dëshmi të vendosmërisë së institucioneve për të luftuar kontrabandën dhe trafikimin e substancave të ndaluara, duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe integritetin ekonomik të Republikës së Kosovës.”



