Kaos në futbollin Spanjoll: Arbitri Bengoecea shpërthen në lot pas sulmeve të Real Madrid

Një situatë e tensionuar ka shpërthyer në futbollin spanjoll, pak orë para finales së Kupës mes Real Madridit dhe Barcelonës. Dy klubet më të mëdha të Spanjës janë përfshirë në një konflikt të ashpër pas akuzave të rëndësishme ndaj arbitrit të finales, Ricardon de Burgos Bengoecea.
Real Madrid ka sulmuar publikisht arbitrin, duke e quajtur të paaftë dhe duke theksuar se Bengoecea ka qenë i pranishëm në disa disfatat e tyre ndaj Barcelonës. Sipas “galaktikëve”, kjo ka ndikuar ndjeshëm në besimin e tyre tek ky arbitër për të drejtuar një ndeshje kaq të rëndësishme.
Në një konferencë për shtyp, Bengoecea nuk ka mundur të mbajë lotët, duke shpjeguar se sulmet e vazhdueshme nga televizioni i Real Madrid kanë pasur një ndikim të thellë tek jeta e tij personale dhe ajo e familjes. Ai tregoi se shpesh herë, pas këtyre sulmeve, djali i tij kthehej nga shkolla i prekur dhe duke qarë, sepse e tallnin për babain e tij.
“Videot në televizionin e Real Madridit na shqetësojnë të gjithëve. Kjo është ajo që ka ndikimin më të madh. Kur fëmija juaj vjen nga shkolla duke qarë sepse i thonë se babai i tij është hajdut, është vërtet e vështirë. Po mundohem ta edukoj djalin tim që ai ta dijë se babai i tij është i sinqertë. Se ai bën gabime, po, si të gjithë sportistët e tjerë. Por kur të largohem, dua që djali im të jetë krenar për atë që bëri babai i tij dhe çfarë përfaqëson arbitri,” tha ai me emocion.
Ky incident ka sjellë një valë reagimesh, duke theksuar ndikimin e ashpër të kritikave të drejtpërdrejta ndaj arbitrit në jetën e tij personale. Ndërkohë, përgatitjet për finalen mes Real Madridit dhe Barcelonës vazhdojnë, por dyshimet dhe tensionet mbeten të larta.