Kandidaturë për qytetin, jo për partitë – Dr. Agim A. Krasniqi, oferta më serioze

Prishtina në Dorën Tënde – Zëri i qytetarëve, jo i partive politike
Agim A. Krasniqi: “Jam i pavarur. Kandidatura ime për Prishtinën buron nga përvoja, ndershmëria dhe dashuria për qytetin.”
Në kohën kur besimi ndaj politikës tradicionale është zbehur ndjeshëm dhe partitë politike nuk ofrojnë më alternativa frymëzuese për qytetarët, një zë i ri, i pavarur, por me përvojë të dëshmuar në administratën publike, del në skenë për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset Prishtina. Z. Agim A. Krasniqi, kandidat i iniciativës qytetare “Prishtina në Dorën Tënde”, e ka bërë të qartë që në fillim: “Ne nuk jemi parti politike – ne jemi zëri i qytetarëve, jemi vetë qytetarët që kërkojmë ndryshim!”
Z. Krasniqi është emër i njohur për qytetarët të cilët kërkojnë integritet dhe profesionalizëm në qeverisje. Ai ka shërbyer për mbi 20 vite në administratën shtetërore – 10 vite në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe 10 vite në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ku vazhdon të jetë në marrëdhënie pune. Në secilin nga këto pozicione, ai është dalluar për angazhimin, ndershmërinë dhe përkushtimin e palëkundur ndaj interesit publik.
Ai nuk vjen për të bërë premtime boshe, por për të sjellë qasje të re në menaxhimin e qytetit – një model që bazohet në transparencë, efikasitet dhe përfshirje qytetare. Nën moton “Prishtina në Dorën Tënde”, ai synon të rikthejë besimin e qytetarëve se ky kryeqytet i përket të gjithëve dhe jo vetëm një elite politike.
Kjo iniciativë është ndërtuar mbi vullnetin qytetar dhe mbështetjen kolektive, jo mbi pazare politike. “Ne nuk premtojmë mrekulli. Premtojmë punë të ndershme, dialog me qytetarin dhe vendimmarrje që pasqyron nevojat reale të lagjeve tona – nga Ulpiana te Dardania, nga lagjet periferike deri në qendër,” thekson z. Krasniqi.
Zgjedhjet e ardhshme lokale në Prishtinë janë mundësi për të kthyer drejtimin e qytetit nga interesat e ngushta politike drejt interesit të përgjithshëm qytetar. Iniciativa “Prishtina në Dorën Tënde” nuk është vetëm një kandidaturë – është lëvizje për qytetin, për Prishtinën më të pastër, më të rregullt, më të barabartë dhe më të jetueshme për të gjithë th një intervistë për Blic Albania.
INTERVISTA E PLOTË
Blic Albania:
Z. Krasniqi, kush jeni ju për qytetarët që ndoshta ju dëgjojnë për herë të parë si kandidat për Kryetar të Prishtinës?
Dr. Agim A. Krasniqi: Jam qytetar i këtij vendi në Prishtinë, dhe me një përvojë mbi 20-vjeçare në shërbim të institucioneve publike. Kam punuar në administratë qendrore, në reformim të menaxhim të kujdesshëm të parasë publike, për qeverisje më të mirë dhe me transparencë.
Jam gjithashtu autor i disa librave profesionale për qeverisjen lokale dhe luftën kundër korrupsionit në administratën publike. Kjo përvojë institucionale dhe akademike, është baza nga ku vij. Nuk vij për interesa, vij për mision.
Blic Albania: Pse keni vendosur të kandidoni për Kryetar të Prishtinës?
Dr. Agim A. Krasniqi: Sepse besoj se Prishtina ka nevojë për ndryshim rrënjësor në mënyrën si udhëhiqet. Unë nuk vij nga ndonjë parti politike, dhe nuk garoj për interesa të ngushta.
Jam thellësisht i përkushtuar për t’i kthyer Prishtinës atë që i takon – një qeverisje me integritet, transparencë dhe ndershmëri. Kjo është arsyeja pse kam ndërmarrë këtë hap – për të nisur një lëvizje qytetare të mirëfilltë: “Prishtina në Dorën Tënde.”
Blic Albania:
Po përmendni shpesh se nuk jeni pjesë e asnjë partie. A është kjo një përpjekje për t’u pozicionuar ndryshe?
Dr. Agim A. Krasniqi: Nuk është pozicionim – është fakt. Nuk kam prapa vetes makineri partiake, financim nga interesa të errëta, apo ndonjë prapaskenë politike.
Unë vij me dije, përvojë konkrete dhe integritet. Kam punuar për reforma të rëndësishme në administratën publike dhe kam folur hapur për fenomenin e korrupsionit. Kjo kandidaturë nuk është “kundër dikujt” – është për qytetarin dhe kundër logjikës së kapjes së institucioneve.
Blic Albania:
Cila është qasja juaj konkrete ndaj sfidave më të mëdha të Prishtinës?
Dr. Agim A. Krasniqi: Së pari, duhet ndalur përdorimi i institucioneve publike për interesa të partive politike dhe grupeve të lidhura me to. Kjo është çështja më esenciale. Së dyti, profesionalizmi duhet të rikthehet si standard – që nga menaxhimi i infrastrukturës deri te mënyra si trajtohen qytetarët në sportel. Së treti, do të vendosim prioritete të qarta në buxhet: arsim cilësor, qasje në shërbime shëndetësore, mobilitet të mençur, gjelbërim, pastërti, dhe zhvillim të qëndrueshëm urban. Të gjitha me qytetarin në qendër, jo partinë.
Blic Albania:
Keni përvojë edhe akademike – çfarë roli ka kjo në qasjen tuaj politike?
Dr. Agim A. Krasniqi: Ka rol kyç. Puna akademike më ka mësuar të mos ndalem në retorikë. Kam shkruar libra për sfidat e korrupsionit në administratë, për qeverisjen vendore, për mekanizmat e llogaridhënies. Kjo më ndihmon të mos bëj premtime boshe, por të ofroj zgjidhje të matshme.