Kandidatët e partive të mëdha i ikin debatit në RTK – Dr. Agim A. Krasniqi: “Kjo është ikje nga qytetari, jo nga rivalët”

DEKLARATË PUBLIKE
RTK, mediumi publik, kishte paralajmëruar për 11 tetor debatin me kandidatët për kryetar të Prishtinës, si mundësi e rëndësishme që qytetarët të dëgjojnë drejtpërdrejt alternativat për kryeqytetin. Por për fat të keq, disa kandidatë të partive të mëdha zgjodhën ta bojkotojnë këtë ballafaqim.
Ky veprim nuk është thjesht mungesë pjesëmarrjeje, por është ikje nga qytetari. Ballafaqimi i ideve është themeli i demokracisë dhe kur kandidatët refuzojnë të përballen në mediumin publik, ata nuk i shmangen rivalëve të tyre, por ju ikin qytetarëve të Prishtinës.
Nëse sot u ikin pyetjeve publike, nesër do t’i ikin përgjegjësisë për vendimet që prekin jetën tuaj. Kush sot i ikën perballjes, nesër i ikën përgjegjësisë.
Programet e tyre, që i kam lexuar me kujdes, janë të varfra, të hartuara pa ekspertizë dhe profesionalizëm. Kjo shpjegon pse i shmangen ballafaqimit: sepse nuk kanë çfarë t’u thonë qytetarëve përtej sloganeve boshe.
Unë e kam pritur me interes këtë debat të paralajmëruar nga mediumi publik RTK, si mundësi për t’ua ofruar qytetarëve të Prishtinës programin tim qeverisës, i ndërtuar mbi vizion qytetar dhe pa ngjyra partiake. Fatkeqësisht, disa kandidatë të partive të mëdha zgjodhën ta bojkotojnë ballafaqimin…
Unë, si kandidat i certifikuar nga iniciativa qytetare “Prishtina në Dorën Tënde”, mbetem i hapur për çdo debat, çdo pyetje dhe çdo llogaridhënie. Prishtina nuk ka nevojë për politikanë që fshihen, por për udhëheqës që përballen.
Dr. Agim A. Krasniqi
Kandidat për Kryetar të Prishtinës
Iniciativa Qytetare “Prishtina në Dorën Tënde”



