Kamberi kërkon komision hetimor për rastet e ushtarëve shqiptarë në APJ

Deputeti nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur shqetësimin për përgatitjet që po bëhen në Serbi lidhur me rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kamberi tha se kjo iniciativë po shkakton frikë te shqiptarët e Luginës, për shkak të traumave historike dhe trajtimit diskriminues që ata kanë përjetuar gjatë shërbimit ushtarak në të kaluarën.
Ai bëri të ditur se ka dorëzuar një propozim për krijimin e një Komisioni të posaçëm hetimor, i cili do të merrej me zbardhjen e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve ’80.
“Sipas regjistrimeve zyrtare, shumë nga këto raste janë klasifikuar si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’. Por familjet e viktimave kanë ngritur dyshime serioze, duke raportuar për shenja dhune në trupat e të ndjerëve,” shkroi Kamberi.
Sipas tij, mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës institucionale ka forcuar bindjen se bëhet fjalë për vrasje me motive etnike e politike, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me përjashtim dhe racizëm të hapur.
Deputeti theksoi se themelimi i një komisioni parlamentar, ku do të përfshiheshin edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit shqiptar, është i domosdoshëm për të siguruar një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Vetëm përmes zbardhjes së së vërtetës dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë dhe më e drejtë për të gjithë qytetarët,” përfundoi Kamberi.



