Kaja Kallas nga Tirana: Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat për anëtarësim në BE

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, gjatë një deklarate për mediat nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë, ka theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Ne duam reformat, sundimin e ligjit, ato që janë të nevojshme. Kjo është e rëndësishme si për Shqipërinë, ashtu edhe për Bashkimin Europian. Ka një moment politik ku të gjithë duan që procesi i zgjerimit të ndodhë – diçka që nuk ka ndodhur më parë”, deklaroi Kallas, duke shtuar se BE-ja është serioze në qëllimin e saj për t’u zgjeruar.
Deklarata e saj u bë në kuadër të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian, që po mbahet sot në Tiranë, ku janë mbledhur liderë evropianë për të diskutuar mbi të ardhmen e kontinentit dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve anëtare dhe atyre aspirante.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kallas bëri të ditur se BE-ja pret hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri të posaçëm për dialogun dhe presim normalizimin e marrëdhënieve”, u shpreh ajo për gazetarët.
Samiti i Komunitetit Politik Europian konsiderohet një platformë e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin politik dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta në Evropë.