Lajme

Kafeja drejt luksit: Rriten ndjeshëm çmimet në Shqipëri, një filxhan shkon deri në 150 lekë

Kafeja, një ndër zakonet më të dashura për shqiptarët, po rrezikon të shndërrohet në luks për shumë qytetarë, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve. Të dhënat më të fundit mbi inflacionin tregojnë se çmimi i kafesë dhe kakaos është rritur me 4.7% në prill, niveli më i lartë që nga shkurti i vitit 2022.

Rritja e çmimeve është ndjerë më fort në zonat më të frekuentuara të Tiranës, ku një filxhan kafe ka kapërcyer pragun e 120 lekëve, ndërsa në periferi varion nga 80 deri në 100 lekë, në krahasim me 70 lekë që kushtonte në fillim të vitit.

Rritja globale e çmimeve të kafesë, si pasojë e uljes së prodhimit në Brazil dhe tkurrjes së furnizimeve nga Afrika Perëndimore për shkak të motit ekstrem dhe sëmundjeve të bimëve, ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun shqiptar. Kostot e larta të transportit pas pandemisë kanë shtuar më tej presionin mbi çmimet me pakicë.

Importi i kafesë në mars 2025 arriti çmimin prej 693 lekësh për kilogram, me një rritje prej 19% krahasuar me marsin 2024, kur çmimi ishte 582 lekë. Shoqata e Bareve dhe Restoranteve sinjalizoi që në fillim të vitit për vështirësitë që po hasin lokalet për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë si kafeja dhe kakaoja. Rritja në pakicë është reflektuar me 10 deri në 30 lekë për një filxhan.

Megjithëse konkurrenca e lartë mes bar-kafeve ka penguar rritjen e menjëhershme të çmimeve për konsumatorët, operatorët tregojnë se kostot e larta të pagave dhe importit nuk mund të përballohen më pa rritur çmimet. Aktualisht, një filxhan kafe kushton mesatarisht nga 70 deri në 150 lekë, varësisht nga zona.

Kafeja nuk është thjesht një pije për shqiptarët, por një pjesë e pandarë e stilit të jetesës. Konsumi i saj jashtë shtëpisë ka bërë që Shqipëria të renditet ndër vendet me numrin më të madh të bar-kafeve për frymë në Europë.

Ekspertët parashikojnë një stabilizim të çmimeve në vitin 2026, nëse rikuperohet prodhimi në Brazil dhe zgjerohet kultivimi i kakaos në Nigeri dhe Kamerun, megjithatë rreziku nga moti ekstrem vijon të mbetet i lartë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button