Kadri Kryeziu i përgjigjet Grenellit: Trump ishte i kthjellët dhe parandaloi një luftë të mundshme nga Serbia

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar sërish lidhur me deklaratat e Richard Grenellit, emisari i Donald Trump për misione speciale, i cili kishte akuzuar presidenten Vjosa Osmani për “manipulim” të fjalëve të ish-presidentit amerikan lidhur me një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Kryeziu tha se është në “kontakt të vazhdueshëm” me komunitetin shqiptar në SHBA dhe me “miq me ndikim në Washington D.C.”, duke e konsideruar të “çuditshëm” aludimin e Grenellit se Trump kishte ngatërruar kohën e ngjarjeve.
“Aludimi i çuditshëm i mikut tonë Rik Grenell që Presidenti Trump e paska ngatërruar kohën e ngjarjeve, pra është konfuz, e që duket i njëjtë me atë të zyrtarëve serbë, është i pasaktë”, shkroi Kryeziu.
Sipas tij, një krahasim i tillë është jo vetëm i pavërtetë, por edhe një fyerje për Kosovën. Ai tha se Trump nuk duhet ngatërruar me presidentin aktual amerikan, Joe Biden.
“Presidenti Trump është një lider historik, tepër energjik, shumë i kthjellët dhe i qartë, si në artikulim ashtu edhe në gjykime.”
Kryeziu ndau edhe një video të deklaratës së Trump më 27 qershor 2025, ku ai thotë se “para disa javësh Serbia po përgatitej për një luftë serioze” dhe se e kishte ndalur këtë përshkallëzim.
“Presidenti Trump flet qartazi në të tashmen… Ku është këtu referenca bizare për çështje të para 5 viteve, siç aludon Serbia?”, pyet Kryeziu.
Ai shtoi se Trump ishte i saktë dhe kishte reaguar ndaj një kërcënimi real, duke mohuar se kishte ndonjë konfuzion nga ana e tij.
Ndër të tjera, Kryeziu pretendon se kur Trump përmendi një “mik në Serbi”, nuk i referohej presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por ish-guvernatorit të Illinois-it, Rod Blagojevich, i cili, sipas tij, ka qenë ndërmjetës në dërgimin e një mesazhi nga Vuçiq për Trump.
“Sipas burimeve të mia, këtu Presidenti Trump e ka fjalën për Rod Blagojevich që i ka transmetuar fjalët e Vuçiq. Disa ditë para përvjetorit të Betejës së Kosovës… Vuçiq i ka dërguar mesazh Trumpit që, nëse nuk i ndalet turri Kosovës, do të ndërhyjë me forcë.”
Në përmbyllje, ai mbështeti presidenten Osmani, duke thënë se ajo ka thënë të vërtetën për provokimet e freskëta nga Serbia dhe lavdëroi Trumpin për qëndrimin e tij ndaj Kosovës:
“Zoti ia zgjastë jetën Presidentit Trump, për kujdesin e tij ndaj Kosovës dhe përkushtimin e tij të palodhur për paqe në botë.”