KryesoreLajme

Kadilli kritikon partitë e vogla dhe listat e PD-së: Gjuha e urrejtjes dhe përzgjedhje të gabuara në Fier e Elbasan

Sipas Kadillit, mënyra se si partitë e vogla e trajtuan këtë proces, i ngjan shumë përplasjeve mes figurave të partive të mëdha, duke munguar thellësisht vullneti për bashkëpunim dhe me një gjuhë që ai e cilëson si ‘urrejtje’ dhe ‘të paprinciptë’.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka komentuar për Report Tv zhvillimet në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, duke u ndalur si te konfliktet brenda partive të vogla, ashtu edhe te performanca e listave të paraqitura nga Partia Demokratike në qarqe si Fieri dhe Elbasani.

Sipas Kadillit, mënyra se si partitë e vogla e trajtuan këtë proces, i ngjan shumë përplasjeve mes figurave të partive të mëdha, duke munguar thellësisht vullneti për bashkëpunim dhe me një gjuhë që ai e cilëson si ‘urrejtje’ dhe ‘të paprinciptë’.

“Konfliktet e partive të vogla ishin krejtësisht të ngjashme me përplasjet e figurave të partive të mëdha. Nëse partitë e vogla demonstruan pazotësi për kompromis, për më tepër demonstruan dhe një gjuhë urrejtjeje ndaj njëri-tjetrit, një luftë të paprinciptë të njëri-tjetrit dhe një humbje të fokusit, fokusi nuk ishte t’i ofronin qytetarëve diçka të re. Fokusi ishte kush do dalë i dyti apo i treti mes tyre”-tha Kadilli.
Duke komentuar situatën në Fier, Kadilli nuk i kurseu kritikat për përzgjedhjet që, sipas tij, kanë qenë totalisht të gabuara dhe të huaja për zonën.

“Shiko këto figurat shihen të rëndësishme se u jepet një funksion, po t’ua heqësh funksionin, i ikën fare kredibiliteti, lista e Fierit dhe lista e Elbasanit kanë qenë nga listat më të dobëta që ka paraqitur Berisha në këto zgjedhje. Të thuash që në listën e Fierit, nuk ka asnjë ndryshim me 2021 apo me 2017, thjesht është e njëjta listë, s’është Alibeaj por është Bardhi dhe një listë aspak përfaqësuese. Pra nuk ka asnjë fierak në atë listë, deri tek numri 5, tek 6 mbase. Edhe Baçi nuk është tamam fierak, është nga Delvina, ka shkuar në ’92 në Fier. Nuk ka asnjë Mallakastriot, nuk ka asnjë. Nuk ka asnjë nga komunitetet atje. Sjelljet qesharake të atij të Lushnjes dhe Baçit nuk krijojnë dot raport me terrenin në Fier. Ata që kanë pranuar të jenë të sigurt atje nuk do të prekin asnjëherë ëndrrën e komunikimit me Berishën.”-tha Kadilli.

Ish-deputeti nuk kurseu as Gazment Bardhin, të cilin e cilësoi si ‘më të pavotuarin’ në Partinë Demokratike dhe shkaktar të dështimit në Elbasan.

“Njeriu që është më i pavotuar në PD është zoti Bardhi, ku dështim ka qenë në Elbasan. Mandatin e fundit e kanë mbajtur me 200 vota, me shumë pak. Lista shumë e gabuar, lista ka qenë një kosto jo e vogël e humbjes së PD-së në këto zgjedhje”, përfundoi Kadilli.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button