Kosova

Ka nisur publikimi i rezultateve të votave me postë: LDK kryeson në Dragash, Vetëvendosje në Shtime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës, të realizuara përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Gjatë ditës së sotme, KQZ ka nisur publikimin e rezultateve të para të këtyre votave në disa komuna të vendit.

Në komunën e Dragashit, janë numëruar 88.89% e votave me postë. Sipas rezultateve paraprake, kandidati i LDK-së, Behxhet Xheladini, kryeson me 54.08% të votave, apo 1,014 vota. Pas tij renditet kandidati i PDK-së, Shaban Shabani, me 26.83% (503 vota), ndërsa në vendin e tretë është Filiz Mustafa nga Vetëvendosje, me 17.44% (327 vota).

Ndërkohë, në komunën e Shtimës, situata është e kundërt. Aty Vetëvendosje kryeson me shumicën e votave me postë. Kandidati i saj, Qemajl Aliu, ka siguruar 50.20% të votave, apo 251 vota, nga 75% e votave të numëruara deri më tani. Pas tij vjen kandidati i PDK-së, Përparim Ramusa, me 34.40% (172 vota).

Ndërkohë, për kryeqytetin, KQZ ende nuk ka nisur publikimin e rezultateve të votave me postë.

Procesi i numërimit pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare të votave jashtë vendit do të publikohen pas përfundimit të numërimit në të gjitha komunat.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button