Sport

Justin Kluivert kërkon rekordin Guinness: Kam shënuar në të gjashtë ligat kryesore të Evropës

Justin Kluivert, sulmuesi holandez që dikur u promovua si një nga talentet më premtues te Roma, sot po shkëlqen në Premier League me Bournemouth. Në një intervistë për BBC, 25-vjeçari ka treguar një ambicie të pazakontë: të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness.

“Dua të hyj në librin Guinness. Mendoj se jam i pari që ka shënuar në të gjashtë ligat kryesore të Evropës, nëse përfshijmë edhe Holandën,” deklaron Kluivert me plot vetëbesim.

Lista e kampionateve ku ai ka shënuar është mbresëlënëse: Eredivisie me Ajax-in, Serie A me Romën, Bundesliga me Leipzig-un, Ligue 1 me Nice, La Liga me Valencian dhe së fundmi Premier League me Bournemouth-in. Nëse Eredivisie pranohet si pjesë e “top 5” ligave evropiane – një tezë që shpesh diskutohet – atëherë Kluivert do të ishte vërtet i pari në histori që ka shënuar në të gjitha këto gjashtë kampionate.

Deri më sot, vetëm dy lojtarë të tjerë kanë arritur të shënojnë në pesë nga pesë ligat tradicionale evropiane: Florin Răducioiu dhe Stevan Jovetić.

Te Bournemouth, ku aktualisht skuadra mban vendin e 10-të, Kluivert sheh përpara me optimizëm. “E besojmë kualifikimin europian, flasim çdo ditë për këtë. Do të japim maksimumin për ta realizuar,” tha ai.

I pyetur për peshën e mbiemrit të famshëm, ai nuk fshihet: “Ishte një motivim. Doja të tregoja se isha i zoti vetë, jo vetëm sepse quhesha Kluivert. Presioni krijon diamantet – dhe ashtu shkëlqen.”

Në nëntor të kaluar, Kluivert la gjurmë edhe në Premier League duke shënuar tre penallti në një ndeshje të vetme ndaj Wolves, një arritje tejet e rrallë në futbollin anglez. “Kur isha më i ri, nuk më pëlqente të godisja penallti. Por tani kam qetësinë për ta bërë – dhe s’e kam gabuar ende,” përfundon holandezi, me një buzëqeshje plot siguri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button