Jorida Tabaku në Ish-Bllok: Taksat e larta po rrënojnë shtresën e mesme, minimumi jetik duhet të jetë 200 euro

Kandidatja për deputete nga lista e hapur e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një sërë takimesh me qytetarët në zonën e ish-Bllokut, një prej qendrave më aktive ekonomikisht të kryeqytetit. Gjatë bashkëbisedimeve me banorët, shqetësimet kryesore të ngritura ishin rritja e çmimeve, kostot e larta të jetesës dhe të ardhurat në rënie.
Tabaku theksoi se këto probleme nuk janë vetëm pasojë e tregut të lirë, por kryesisht rezultat i politikave të gabuara fiskale të ndjekura nga qeveria. Sipas saj, taksat e larta, veçanërisht ato mbi karburantin, kanë shkaktuar një efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, duke rënduar më së shumti shtresën e mesme dhe qytetarët me të ardhura të ulëta.
“Minimumi jetik duhet të jetë të paktën 200 euro në muaj, si hap i parë drejt një standardi më të dinjitetshëm jetese,” u shpreh Tabaku. Ajo shtoi se ulja e taksave do të ndikonte në çmime më të përballueshme, rritje të konsumit dhe përmirësim të nivelit të pagave.
Në qëndrimin e saj, Tabaku akuzoi qeverinë se ka zgjedhur të mbushë arkën e shtetit në kurriz të qytetarëve të ndershëm, duke ngarkuar gjithnjë e më shumë shtresën e mesme për çdo shpenzim, nga ushqimi te energjia elektrike.
“Ne kemi një plan konkret për të çliruar ekonominë dhe për të kthyer shtetin në shërbim të qytetarit. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim që fillon nga ulja e barrës fiskale dhe një politikë që vendos në qendër shtresën e mesme,” deklaroi ajo.
E njohur për qëndrimet e saj në mbrojtje të profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme, Jorida Tabaku bëri thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar një mandat të drejtpërdrejtë nga qytetarët përmes listës së hapur të Partisë Demokratike.