Lajme

Jola Hysaj: Presion dhe shantazh ndaj votuesve në Durrës përpara zgjedhjeve të 11 majit

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Jola Hysaj, ka denoncuar klimën e tensionuar dhe presionin ndaj qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Në një intervistë për emisionin “Debat” me Alba Alishanin në A2 CNN, Hysaj bëri një përmbledhje të 20 ditëve të para të fushatës duke theksuar se situata në Durrës është përshkallëzuar ndjeshëm.

Sipas saj, më të ekspozuar ndaj kërcënimeve janë bizneset e vogla, qytetarët me banesa në proces legalizimi si dhe të punësuarit në administratë dhe bashki, të cilëve – siç thotë Hysaj – u bëhet presion se do t’u lexohet vota.

“Jemi në pikën më të nxehtë të fushatës. Tensionet janë reale dhe më të thella se kurrë më parë. Qytetarëve u thuhet se vota e tyre mund të lexohet edhe pa shkuar në kuti, çka është e pavërtetë dhe një gënjeshtër për t’i frikësuar,” deklaroi Hysaj.

Ajo shtoi se kërcënimet për heqje nga puna apo përfitime të mohuara nga legalizimet po përdoren si mjete për të ndikuar në vullnetin e votuesve. Sipas saj, kjo situatë ka krijuar një ndjenjë pasigurie dhe frike tek qytetarët.

Për të ilustruar situatën në terren, Hysaj tregoi një rast të ndodhur në lagjen nr. 8 në Durrës, ku gjatë një takimi elektoral, ajo dhe ekipi i saj janë ndjekur nga patronazhistë me makina, të cilët sipas saj nuk kishin për qëllim ta intimidojnë atë, por qytetarët.

“Ky lloj kontrolli është frikësues për qytetarët. Patronazhistët nuk na intimidojnë ne, por banorët e zonës, të cilët ndihen nën vëzhgim të vazhdueshëm,” tha Hysaj.

Pavarësisht sfidave, kandidatja demokrate theksoi se beson në një ndryshim pozitiv që mund të nisë pikërisht nga Durrësi, si një qytet që shpeshherë ka reflektuar tendencat e gjithë vendit. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen përballë presioneve dhe të shkojnë të votojnë të lirë dhe të pandikuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button