James Rubin tregon në Hagë: Komunikimi me Hashim Thaçin bëhej edhe përmes gjuhës së trupit

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë ka rrëfyer për mënyrën se si ka komunikuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë periudhës së pasluftës.
Rubin tha se në ato kohëra Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj komunikimi shpesh bëhej me përkthyes dhe edhe përmes gjuhës së trupit. Ai theksoi se në nivel diplomatik për përdorimin e përkthyesve ka pasur momente kur ata ndodheshin pranë tij për të siguruar që mesazhet të kuptoheshin saktë.
“Kur dikush nuk flet gjuhën në ato rrethana përdoret shpesh gjuha e trupit, përdoren fjalë që njihen në të gjitha gjuhët, dhe pastaj për të komunikuar siç duhet në nivel diplomatik kishim përkthyes,” tha Rubin.
Ai shtoi se përkthyesi i Departamentit të Shtetit shpesh e shoqëronte gjatë takimeve, duke ndihmuar në komunikimin me Thaçin dhe siguruar që mesazhet të përcilleshin saktë.