Kosova

James Rubin rrëfen takimet e tij me Hashim Thaçin para Gjykatës Speciale

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka vazhduar dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, duke rrëfyer momentet e takimeve të tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Rubin ka treguar se takimi i tij i parë me Thaçin ka ndodhur në një kohë të vështirë, kur Thaçi nuk mbante ende funksione zyrtare në pushtet gjatë samitit të Rambujesë. “Më kujtohet takimi i parë, Thaçi ishte djalë i ri. E kam takuar në kohë të vështirë dhe nuk kishte funksion zyrtar në pushtet në Rambuje”, tha Rubin.

Ai shtoi se më pas janë takuar në New York, ku Thaçi erdhi në një restorant tashmë si kryeministër, gjë që e habiti Rubin. “Kjo sepse ai erdhi si djalë i ri në rrethana të rënda dhe tash po e takoja si kryeministër”, u shpreh Rubin.

Ish-diplomati amerikan gjithashtu ka bërë të ditur se hera e fundit që ka pasur takim me Thaçin ishte në vitin 2019, kur Thaçi ishte President i Kosovës. Rubin tha se në atë kohë punonte në një kompani që kishte kontratë me Qeverinë e Kosovës për lobim, dhe punëdhënësit e tij e kishin konsideruar të përshtatshme që ai të merrej me çështjet e konfliktit dhe arritjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjykata Speciale po vazhdon të shqyrtojë rastet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa dëshmia e Rubin është pjesë e mbrojtjes së tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button