Kosova

Izmaku: Mungesë totale vullneti politik për zgjidhjen e ngërçit – Nisma për marrëveshje në tavolinë

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë takim të ri me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një zgjidhje të ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në një prononcim për media, Izmaku theksoi se situata ka kaluar përtej aspekteve procedurale apo juridike dhe tashmë është bërë një çështje morale, ku mungon plotësisht vullneti politik nga partitë e mëdha.

“Ditët e fundit nuk ka pasë asnjë qëndrim të ri, asnjë takim të ri. Po duket që s’është më as procedurale, as juridike, mirëpo është më shumë morale. Ka mungesë totale të vullnetit politik të lidershipit të krejt partive të mëdha politike për ta gjetur një zgjidhje”, deklaroi ajo.

Sipas saj, Nisma Socialdemokrate vazhdon të jetë në favor të krijimit të një mazhorance përmes marrëveshjes politike në tavolinë.

“Nisma ka qenë dhe është që të krijohet një mazhorancë në tavolinë. Pra, të ndërtohet marrëveshje politike dhe të zgjidhen këto probleme dhe ky ngërç politik”, përfundoi Izmaku.

Ngërçi në Kuvend vazhdon tashmë prej javësh, me dështime të njëpasnjëshme për të zgjedhur kryetarin dhe për të konstituuar organet e reja të legjislaturës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button