
Edhe pse ka kërkuar falje për publikun, në fund të videos kandidati i Lapajt ka thënë se shumë qytetarë e njohin që ai nuk ka qenë i implikuar në çështje penale dhe përdorimin e lëndëve narkotike, dhe nga ana tjetër, në postimin e tij ai kërkon disa herë falje lidhur me ngjarjen e djeshme. Ish-kandidati i ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Ergys Isufi, ka reaguar ditën e sotme përmes një videoje të postuar në rrjetet e tij sociale, mbi ngjarjen e djeshme ku ai u kap në flagrancë nga policia me një dozë kokaine.
Fillimisht, në reagimin e tij, Isufi ka kërkuar ndjesë për publikun dhe veçanërisht për kolegët e ‘Shqipëria Bëhet’. Më tej, ai ka thënë se shumë qytetarë janë shprehur duke i thënë se ai nuk është për politikë, duke theksuar se i hyri kësaj rruge për të kontribuar bazuar në parime dhe bindje.
Edhe pse ka kërkuar falje për publikun, në fund të videos kandidati i Lapajt ka thënë se shumë qytetarë e njohin që ai nuk ka qenë i implikuar në çështje penale dhe përdorimin e lëndëve narkotike, dhe nga ana tjetër, në postimin e tij ai kërkon disa herë falje lidhur me ngjarjen e djeshme. Isufi ka falënderuar në fund Policinë e Shtetit që nuk u bë pjesë e një dashakeqësie dhe inskenimi.
Reagimi i Isufit:
Përshëndetje miq,
Lidhur me situatën aktuale ndjej detyrimin moral t’ju kërkoj një ndjesë të thellë publikut shqiptar, qytetarëve të Sarandës, familjes time, miqve të mi, shokëve të mi, por mbi të gjitha gjithë kolegëve të ‘Shqipëria Bëhet’. Falënderoj ata për mundësinë dhe besimin që treguan që unë të jem pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e majit 2025. ‘Ti nuk je për politikë’ kam dëgjuar unë gjatë gjithë këtyre ditëve. Mirëpo unë kam ardhur këtu për politikë, kam ardhur këtu të kontribuoj me parimet, bindjet dhe besimin tim, duke qenë pjesë e kësaj lëvizjeje me qëllim që Shqipëria të bëhet. Politika veproi në mënyrën e saj 35-vjeçare. Por unë nuk do të doja që askush të dekurajohet dhe aq më tepër që përgjegjësia të kalojë mbi lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’. Ju lutem, ju më njihni, unë kurrë nuk kam qenë i implikuar as me çështje penale, as me çështje morale, dhe aq më tepër me përdorimin apo tregtimin e lëndëve narkotike. Unë jam sot i lirë dhe meritoj të jem i lirë, sepse për këtë edhe falënderoj gjithë oficerët e Policisë së Shtetit që treguan profesionalizëm. Edhe nëse ata do të bëheshin pjesë e një dashakeqësie të inskenuar, nuk dihej si do të ishte fati im sot. Mbështesni lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’. Më falni, më falni.
Isufit iu gjet një dozë kokaine me vete, ditën e djeshme, ku thonë se dyshohet ta kishte për përdorim vetjak. Ai u ndalua nga policia teksa udhëtonte së bashku me një person tjetër të mitur nga Saranda drejt Borshit, aty ku edhe do të kishte një miting elektoral dhe më tej do të nisej në Tiranë për të marrë pjesë në takimin përmbyllës të fushatës që do të mbajë ditën e sotme Nisma ‘Shqipëria Bëhet’.
Gjatë kontrollit, Isufi fillimisht ka tentuar të largohet me vrap, por është ndaluar dhe neutralizuar nga uniformat blu.