
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka reaguar ndaj kritikave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili e ka përmendur shpesh me emër, duke e akuzuar për performancën e tij në sistemin e drejtësisë.
Në një intervistë për emisionin KallxoPërnime, Isufaj tha se nuk dëshiron të komentojë nivelin e sulmeve politike, por ofroi një përgjigje të qartë në lidhje me akuzat.
“Shiko… nivel i ulët më duket me e komentu këtë. Por, vetëm një gjë dua me thanë. Në karrierën time prej vitit 2010 jam prokuror, dhe vazhdimisht kam qenë prokuror i Krimeve të Rënda ose i Prokurorisë Speciale. Për mos me ekzagjeru, për këto vite i kam ngritur diku 300 aktakuza. Me dijeninë time, vetëm 6 i kam të refuzuara gjatë karrierës. Që performanca i bie diku 97% aktakuza të aprovuara në gjykatë. Kjo është lehtë e verifikueshme,” u shpreh ai.
Isufaj tha se nuk e shqetëson nëse Kurti është apo jo i informuar për faktet:
“As që më intereson nëse e din apo jo. Unë jam i sigurt se ai nuk shërbehet me fakte, por me thashetheme. Sepse po të shërbehej me fakte, ai nuk do të duhej të thoshte ashtu. Mos e harro një fakt – a folëm më herët për terrorizëm – unë kam qenë ai që i ka arrestu 40 e më shumë persona, unë kam qenë ai që i kam akuzu mbi 30, krejt janë të dënuar. Ky është një fakt në mesin e shumë fakteve të tjera.”
Ai ka komentuar edhe kritikat se Prokuroria Speciale nuk është marrë me rastet e korrupsionit apo hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.
“Nuk kanë të drejtë ta thonë këtë gjë. Ju e dini – pesë ish-ministra të qeverive të kalume i kemi me aktakuzë. Ne i prezumojmë të pafajshëm, por sipas bindjes sonë, ata kanë plotësuar standardet për t’u akuzuar. Ka edhe zëvendëskryeministër, është i akuzuar edhe ish-drejtori i AKI-së. Këta kurrë nuk janë pjesë e kësaj qeverie, sikur tentohet shpesh me thanë se po na hetoni vetëm neve,” deklaroi ai.
Isufaj përfundoi se puna e tij dhe e Prokurorisë Speciale mbështetet në fakte dhe jo në perceptime politike.