Ismet Kryeziu kritikon “Qeverinë Kurti 2.5”: Koncept që bie ndesh me çdo standard demokratik

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj konceptit të ashtuquajtur “Qeveria Kurti 2.5”, të cilin e përmendi kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai e cilësoi këtë nocion si një shkelje të thellë të parimeve demokratike dhe si tentativë për uzurpim të pushtetit përtej mandatit kushtetues.
“Partia në pushtet po përpiqet ta ruajë dhe ta ushtrojë pushtetin përtej mandatit të dhënë nga qytetarët,” tha Kryeziu. Ai shtoi se qeveria aktuale nuk ka asnjë bazë të re legjitime për të funksionuar: “Si mund të ekzistojë një qeveri ‘2.5’ që nuk ka marrë asnjë votë të re nga Kuvendi, nuk ka kaluar asnjë procedurë zgjedhore dhe nuk gëzon mandat të ri? Nga buron legjitimiteti i saj? Nga qytetari, JO. Nga Kuvendi, JO. Nga Kushtetuta, JO.”
Sipas tij, një qasje e tillë është e rrezikshme dhe minon thellësisht vlerat demokratike, duke cenuar stabilitetin institucional të vendit. “Kjo qasje jo vetëm që shkel parimet e ndarjes dhe balancës së pushteteve, por minon rëndë vlerat demokratike dhe rrezikon stabilitetin institucional të vendit,” theksoi ai.
Kryeziu nënvizoi se demokracia nuk konsiston vetëm në mbajtjen e zgjedhjeve apo pranimin formal të rezultateve, por në respektimin e ndarjes reale të pushteteve dhe dorëzimin e tyre kur mbaron mandati. “Tranzicioni i pushtetit nuk është opsional në demokraci,” përfundoi ai.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një ngërç institucional dhe politik, me dështime të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.