Ish-zyrtarja e EULEX-it dhe piloti kroat i KFOR-it në paraburgim për spiunazh në favor të Listës Serbe

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kroacinë dhe Kosovën, pasi autoritetet kroate kanë arrestuar për 30 ditë një çift të dyshuar për spiunazh në favor të Listës Serbe.
Në pranga kanë rënë Ana Murganiq, serbe nga Mitrovica e Veriut, dhe i dashuri i saj, një pilot i Ushtrisë së Kroacisë i cili shërbente edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë. Të dy akuzohen se kanë shpërndarë informacione sekrete mbi lëvizjet e trupave të NATO-s në veri të Kosovës tek struktura politike serbe në vend.
Nga EULEX e UNMIK, në shërbim të Listës Serbe
Murganiq nuk është emër i panjohur. Ajo ka qenë pjesë e UNMIK-ut dhe EULEX-it, ku ka pasur lidhje të ngushta me gjyqtarë e prokurorë të këtyre misioneve ndërkombëtare. Madje, sipas mediave kroate, ajo i ka përdorur këto lidhje edhe për shantazhe dhe ndikim në procese gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
EULEX-i ka konfirmuar se Murganiq ka qenë e punësuar në misionin e tyre, por nuk ka dhënë detaje të tjera duke e cilësuar rastin si hetim të ndjeshëm.
Burime të afërta me hetimin theksojnë se Murganiq ishte e rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe, të cilat tradicionalisht kanë nxitur përfshirjen e serbëve në organizata ndërkombëtare në Kosovë për qëllime spiunazhi dhe ndikimi politik.
Shkëmbim informacioni në WhatsApp
Sipas raportimeve, piloti kroat i ka përcjellë partneres së tij informacione konfidenciale në lidhje me lëvizjet e KFOR-it në Zubin Potok, si dhe zhvillimet rreth rastit të Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës i arrestuar në vitin 2022 për sulmin ndaj zyrës së KQZ-së.
Mesazhet e çiftit, të shkëmbyera përmes aplikacionit WhatsApp, janë përdorur për të informuar Listën Serbe, e cila bashkëpunon ngushtë me Qeverinë e Serbisë.
Ekspertët: Alarm për NATO-n
Eksperti kroat i politikës së jashtme, Davor Gjenero, tha për mediat se ky rast është një paralajmërim serioz për aleatët e NATO-s që operojnë në Kosovë.
“Nuk është befasi për askënd. Kjo është një metodë e njohur operimi nga Serbia. Rasti duhet të shërbejë si alarm për të gjitha shtetet aleate që kanë trupa në Kosovë”, u shpreh Gjenero.
Hetimet vazhdojnë
Autoritetet kroate kanë konfirmuar se dyshja ishte arrestuar edhe më parë, por ishte liruar përkohësisht. Pas zbulimit të mesazheve të reja komprometuese, ata u rikthyen në paraburgim.
Ende nuk dihet nëse në këtë aferë janë përfshirë drejtpërdrejt institucionet e Kosovës, ndërsa hetimet pritet të zbardhin dimensionin e plotë të rrjetit të spiunazhit.