Kosova

Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, përfundon në paraburgim për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Bojan Jevtiqin, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, kjo masë u caktua pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe u aprovua nga gjyqtari i procedurës paraprake. Sipas vlerësimit të gjykatës, ekziston rreziku i arratisjes dhe mundësia që i pandehuri t’i shmanget ndjekjes penale, duke qenë se vepra për të cilën dyshohet është me rrezikshmëri të lartë për sigurinë kombëtare.

“Gjykata vlerëson se i pandehuri, nëse lihet në liri, mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë, si dhe mund të përsërisë veprën penale apo të kryejë vepra të tjera në rrethana të ngjashme apo më të rënda”, thuhet në vendim.

Gjykata thekson se për shkak të natyrës së rëndë të veprës penale, masa e paraburgimit konsiderohet e domosdoshme, pasi çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale dhe për të parandaluar ndikimin e mundshëm në rrjedhën e saj.

Palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button