Sport

Ish-mbrojtësi brazilian Lucio rrëfen aksidentin e rëndë që rrezikoi jetën e tij

Ish-mbrojtësi i njohur brazilian, Lucio, i cili ka lënë gjurmë me fanellën e Interit dhe Juventusit, ka zbuluar për herë të parë detaje nga aksidenti dramatik që mund t’i kishte marrë jetën më 8 maj, ditën e tij të 47-të ditëlindje.

Lucio pësoi djegie në 18% të trupit pasi një oxhak shpërtheu gjatë një darke në një shtëpi private, teksa një mik hodhi alkool mbi zjarr për ta ndezur. Ai kaloi 20 ditë i shtruar në spital, duke iu nënshtruar ndërhyrjeve të dhimbshme mjekësore.

“Pashë flakët mbi fytyrën, krahët dhe këmbët e mia. Instinktivisht u hodha në pishinë për të shpëtuar. Gruaja ime fatmirësisht nuk u lëndua,” tregoi ish-lojtari në një intervistë për La Gazzetta dello Sport.

Lucio u transferua në spital më 21 maj dhe kujton periudhën e vështirë të trajtimit:
“Është shumë e vështirë të flesh për shkak të dhimbjes. Nuk kam kaluar kurrë kaq shumë kohë në spital. Operacionet ishin të domosdoshme për të hequr fashat dhe mbështjelljet.”

Sot, katër muaj pas aksidentit, ai po shërohet gradualisht, megjithëse pranon se trauma psikologjike është po aq e rëndë sa lëndimet fizike:
“Do të më duhen edhe disa muaj për t’u rikthyer 100%. Por pjesa më e vështirë ka kaluar. Djegiet janë plagë shumë të rënda për t’u përballuar, por po përmirësohem dita-ditës.”

Në fund, Lucio dha një mesazh për kujdes dhe përgjegjësi:
“Ajo që më ndodhi është një mësim se sa e rëndësishme është vëmendja. Një veprim i thjeshtë mund të shmangë një tragjedi. Kujdesu për veten dhe për të tjerët – ia vlen.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button