Ish-ambasadori holandez: Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, protesta kundër saj është e drejtë

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara në Hagë, duke deklaruar se Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej fare. Në një intervistë për KosovaPress, të realizuar nga Haga, ai ka thënë se protesta e paralajmëruar për sot në Prishtinë kundër kësaj gjykate është legjitime dhe duhet të jetë paqësore e dinjitoze.
“Është mirë të bëhet protestë, për sa kohë që është paqësore dhe pa slogane të këqija. Por kjo gjykatë është bërë qesharake. Askush nuk e di çfarë po ndodh, është totalisht jotransparente. Supozohet të jetë gjykatë e Kosovës, por nuk ka asnjë kosovar në të, përveç të akuzuarve”, u shpreh Bosch.
Gjykata Speciale, e themeluar më 2015 me ligje të Kosovës, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave dhe ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.
Së fundmi, pranimi i dokumenteve nga Serbia si prova në këtë proces ka ngjallur reagime të forta në Kosovë, duke u parë si vazhdimësi e njëanshmërisë së kësaj gjykate.
Bosch vlerëson se themelimi i kësaj gjykate është i pajustifikuar që nga fillimi, posaçërisht pasi pretendimet për trafikim organesh, që u përdorën si bazë për krijimin e saj, rezultuan të pabazuara.
“Nuk është dashur të themelohej fare. Gjykata u krijua për shkak të akuzave për trafikim organesh, por kur prokurori Williamson gjeti se ato ishin të rreme, ajo duhej të ndalej. Tani këta njerëz po qëndrojnë në burg për vite, dhe kjo është absurde”, tha ai.
Ish-diplomati kritikoi ashpër edhe etiketimin e UÇK-së si “organizatë kriminale”.
“UÇK-ja ishin këmbët tona në terren. Ata punonin për NATO-n. Ta quash sot një organizatë kriminale do të thotë që edhe NATO ka punuar me kriminelë, gjë që nuk qëndron. Unë vetë isha i përfshirë gjatë luftës, e di si kanë qëndruar gjërat”, theksoi ai.
Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pritet të fillojë sot në orën 17:00 në Prishtinë. Pjesëmarrësit, përfshirë ish-luftëtarë dhe qytetarë, do të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj punës së Gjykatës Speciale dhe mënyrës si po trajtohen rastet.
Bosch shtoi se ndërkombëtarët duhet të pranojnë se kanë bërë një gabim me këtë gjykatë, por kjo nuk do të ndodhë lehtë pa presion ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
“Kam dëgjuar që edhe z. Grenell e ka quajtur këtë gjykatë qesharake. Amerikanët janë të vetmit që mund ta ndryshojnë këtë realitet”, tha ai.
Përveç rastit Thaçi dhe të tjerëve, Gjykata Speciale ka trajtuar edhe çështje të tjera për krime të pretenduara të luftës, përfshirë Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën, si dhe raste për pengim të drejtësisë.